Parku, aktivistët marrin mbështetjen e Presidentit Nishani

12/04/2016 00:00

Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti në një takim aktivistë të Shoqërisë Civile, të cilet prej gati një muaj janë duke protestuar kundër ndërtimit të parkut të lojrave në Liqenin Artifical në Tiranë.

Pas përfundimit të takimit, aktivistët u shprehën se morën mbështetje maksimale nga Presidenti Nishani.

“Presidenti na dha garancinë që në tërë rrugëtimin tonë ligjor, do jetë Inspektoriati i KLD që do ta ndjeki. Vetë presidenca do jetë atje dhe nëse do jetë e nevojshme, kjo do të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese”, tha Ervin Goci.

Aktivistët denoncuan edhe njëhere përpara Presidentit të Republikës shkeljet që janë bërë në Parkun e Liqenit Artifical gjatë ndërtimit të këndit të lojrave për fëmijë.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj. Përmes 3 postimeve në Twitter, Veliaj ka kritikuar qëndrimin e Presidentit Nishani. “Bota ka parë Kryetar Bashkie të dojë të bëhet President, por President të bëhet kryetar bashkie, veç Tirana po sheh!”

Postimi i dytë shoqërohet dhe me një foto. “Sa turp që do t’u prishë parkun fëmijëve! Z. Nishani, i vetmi shtetas që jeton me vilë në Park e eskortë në pedonale!”

Ndërsa në postimin e fundit, kryebashkiaku shprehet i bindur se parku i fëmijëve do të bëhet, pavarësisht urdhrave nga Partia Demokratike.

Top Channel