
Bashkia e Tiranës ka bërë prej pak ditësh tashmë projektin e saj për sheshin e ri qendror të kryeqytetit, një projekt që sipas saj parashikon një zonë të madhe pedonale, rikthen sheshin për qytetarët dhe shton gjelbërimin.
Por opozita ndan një tjetër qëndrim, duke e cilësuar sheshin si një projekt klientelist dhe korruptiv. Për të folur për këto dhe të tjera çështje, këtë të hënë në Top Story me Sokol Ballën ishin përballë njëri-tjetrit, zv.kryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku dhe kreu i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi.
I pari që foli për projektin e ri ishte përfaqësuesi i demokratëve. Ai tha se kompanitë që kanë hartuar këtë projekt janë nën hetim për korrupsion.
Sheshi rikthen në koncept planin e vjetër të ramës, për një zonë të madhe pedonale, me disa ndnryshime nga projekti i ri?
“Sheshi është një aferë e madhe korruptive, e padëgjuar në thelb ekzistojnë sarajet korruptive, që po hetohet në Belgjikë dhe Holandë. Ajo që po ndodh është se studiot e huaja po luajnë lojën polici-gjykatësi, po hetohen në vendet e tyre për këto afera. Kjo studio është e njëjta që ka konceptuar sarajet e Surrrelit. Që këtu kemi konflikt interesi. Bashkëpunëtor zyrtar i kompanisë është vajza e gruas së Edi Ramës. Pra, paratë që qeveria nxjerr paradite, shkojnë në darkë në shtëpi nga gruaja”, tha ai.
Përveç këtyre, sipas Malltezit, projekti nuk zgjidh çështjen e trafikut, që ai e cilësoi si më madhorin për Tiranën. Ai foli për tre kulla që do ndërtohen në Sheshin Skënderbej.
“Tre kulla të mëdha, një problem shumë i madh, një mes Muzeut dhe Bankës, në oborrin e Muzeut dhe e treta mes Muzeut dhe Hotel Tirana”, tha ai.
Zv.kryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku hodhi poshtë këto pretendime. Ai tha se kullat që flet PD janë një ndërthurje me një tjetër projekt dhe se në planin aktual të miratuar nga Bashkia nuk ka asnjë kullë.
“Është një politikë e vazhdueshme drejtuar nga një forcë politike që sa herë ka një punë përpiqet të baltosë individin. Nëse flitet për aferë korruptive është ajo që u bë me sheshin në 2011, kur zoti Basha dogji 2 mln euro. Nuk ka asnjë pallat në projektin e sheshit, ai që ka Malltezi është kombinim. Projekti nuk ka asnjë kullë në asnjë anë”, deklaroi ai.
Mazniku tha se sa i përket trafikut ai zgjidhet me Unazën e Vogël, ndërsa bëri publik edhe planin e Bashkisë për të përdorur reshjet e shiut dhe ujin që do të grumbullohet në pjesën e ngurtë të sheshit për të vaditur zonat e tjera në stinën e thatë.
Malltezi tha se përshendet të gjitha projektet që janë në shërbim të qytetarëve, por jo ata me konflikt interesi. Ai akuzoi ish-kreun e bashkisë dhe kryeministrin aktual se ka dhënë 1950 leje ndërtimi pa patur një plan urbanistik.
Por Mazniku nga ana e tij u ndal tek plani aktual, i miratuar nga Lulzim Basha kur ishte në krye të Bashkisë së kryeqytetit dhe shpalli synimin e planit të ri.
“Në planin e 2013-ës ka më shumë diskutim për njolla ndërtimore sesa plan zhvillimor për qytetin. Plani i ri synon të integrojë Tiranën e madhe dhe e gjithë kjo zonë duhet të ketë një plan për gjithë hapësirën e re të bashkisë, diskutim për zhvillimin social, ekonomik, lëvizjen, energjinë, ujin, mjedisin”, tha ai.
Top Channel