
Nga zgjedhjet e ardhshme ka mbetur pak më shumë se një vit dhe koalicioni opozitar po bën gati një platformë të përbashkët, që synon garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Opozita i konsideron ato si mundësinë e vetme të shqiptarëve për t’i dhënë fund asaj që e quan bashkëqeverisje me krimin dhe korrupsionin.
“Ndaj e gjithë vëmendja e opozitës, e gjithë vëmendja e koalicionit opozitar, përqendrohet tek ky prioritet i prioriteteve: Garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Lulzim Basha në përfundim të takimit me aleatët.
Që ky synim të arrihet, opozita ka parashikuar 5 shtylla kryesore në platformën e saj, ku përfshihen që nga ndërhyrje për garantimin e votës së lirë, deri tek financimi i partive dhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit.
Pjesë e diskutimeve është edhe një ndërhyrje në sistemin zgjedhor, por për këtë nuk ka ende një vendim.
“Të gjitha opsionet që mundësojnë një përfaqësim qytetarit shqiptar në Parlament, që qytetari ta dijë se kush është deputeti apo deputetja që e përfaqëson”, deklaron Basha.
Kur foli për programin ekonomik të Partisë Demokratike, si një nga çështjet e diskutuara në tryezë për nxjerrjen e vendit nga kriza, Lulzim Basha iu referua raportit të Bankës Botërore për të vënë në dukje ngadalësimin e ekonomisë, uljen e konsumit dhe rritjen e varfërisë.
“Shqipëria në dy vite e gjysmë të trefishojë numrin e personave në mjerim e varfëri, që Shqipëria të bjerë në gjithë indekset e eksportit, importit, investimeve, besimit të konsumatorit dhe të vetmit që hedhin vallen e “Napolonit” janë këta pushtetarë të korruptuar, të cilët plaçkisin nga mëngjesi deri në darkë pa frikë se mund të ndëshkohen nga ligji dhe Kushtetuta sepse e shohin veten e tyre mbi ligjin dhe Kushtetutën”, thotë kreu i demokratëve.
Top Channel