Situata në Afganistan, rindërtimi drejt dështimit

09/04/2016 00:00

Pas 15 vitesh, miliarda dollarësh dhe mijëra jetësh amerikane, përpjekjet për të rindërtuar Afganistanin janë në rrezik.

Kështu deklaroi Xhon Sopko, inspektori special i përgjithshëm për rindërtimin e Afganistanit në një raport që përshkruan një panoramë të rëndë në një vend ku stafi i tij përdor vetëm rrugët ajrore për shkak të pasigurisë së lartë dhe ku kontraktimi është kaq i errët, sa ndërtesat shemben disa muaj pasi janë ndërtuar.

Më shumë se 700 shkolla janë mbyllur për shkak të revoltës talebane. Ryshfeti, pastrimi i parave dhe forma të tjera korrupsioni vazhdojnë që të dëmtojë të ardhurat.

Pavarësisht 7 miliardë dollarëve në fushata kundër trafikut të drogës, prodhimi i opiumit në Afaganistan për 2015 arriti 3300 ton, njësoj sa në vitin 2000, para ndërhyrjes amerikane.
 
“15 vjet punë e papërfunduar dhe luftime, prandaj duhet të pyesim veten se çfarë shkoi keq. Përpjekjet e rindërtimit në Afganistan janë në rrezik”, bën më dije Sopko.

Sipas tij, tërheqja e ushtrisë amerikane ka krijuar zona të verbra për Pentagonin që nuk është i aftë të grumbullojë informacion të besueshëm për aftësitë dhe mundësitë mbrojtëse të forcave afgane.

Që prej vitit 2002, Kongresi amerikan ka përdorur 113 miliardë dollarë për të rindërtuar Afganistanin, një shifër që nëse llogaritet sipas inflacionit në vite, është më e madhe se sa totali i planit “Marshall” që ndihmoi në rindërtimin e Europës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore.

Sipas Sopkos, nënkontraktorët afganë kanë vjedhur fondet pa fund dhe kanë ndërtuar godina që shemben pas pak muajsh, mes të cilëve edhe spitale.

Ai tha se 2.5 milionë fëmijë afganë nuk shkojnë dot në shkollë për shkak ët luftës në vend dhe kjo është një prej shumë pasojave të sigurisë së dobët që nuk përbëjnë lajme kryesore, por janë shenja ogurzëza për të ardhmen e një vendi të varfër dhe kryesisht analfabet.

Top Channel