Rama: Referendumi kaloi pritshmëritë. PS vijon rrugën e saj

09/04/2016 21:25

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka shprehur “mirënjohjen e thellë për familjen e madhe politike të PS, që sot dha një provë shumë kuptimplotë të vetëdijes dhe angazhimit demokratik”.

“Referendumi kaloi pritshmëritë për pjesëmarrjen falë angazhimit të të gjitha gjeneratave të socialistëve. I falenderoj me dashuri dhe respekt që të gjithë, nga 90-vjeçarët që ishin dëshmia më emocionuese përpara kutive të votimit, deri tek 16-vjeçarët që janë dëshmitarët më të rinj të të parit referendum partiak në Shqipërinë e këtyre 25 vjetëve”, thotë Rama.

Në vlerësimin e tij, “referendumi i sotëm ishte një ushtrim demokratik e organizativ plotësisht i suksesshëm, i cili rrit energjitë pozitive të akumuluara në familjen e madhe të PS gjatë procesit nëntëmujor të hapjes, zgjerimit e fuqizimit të partisë”.

“Ky proces do të vazhdojë pa u ndalur prej ditës së hënë, për të realizuar objektivin e 150 mijë anëtarëve në ditën e 25-vjetorit të lindjes së Partisë Socialiste”, thotë më tej Rama.

Deklarata e plotë e kryeministrit Rama

“Mirënjohje e thellë për familjen tonë të madhe politike që sot dha një provë shumë kuptimplotë të vetëdijes dhe angazhimit demokratik. Referendumi kaloi pritshmëritë për pjesëmarrjen falë angazhimit të të gjitha gjeneratave të socialistëve. I falenderoj me dashuri dhe respekt që të gjithë, nga 90 vjeçarët që ishin dëshmia më emocionuese përpara kutive të votimit, deri tek 16 vjeçarët që janë dëshmitarët më të rinj, të të parit referendum partiak në Shqipërinë e këtyre 25 vjetëve.

Referendumi i sotëm ishte një ushtrim demokratik e organizativ plotësisht i suksesshëm. I cili rrit energjitë pozitive të akumuluara në familjen tonë të madhe gjatë procesit nëntë mujor të hapjes, zgjerimit e fuqizimit të partisë. Ky proces do të vazhdojë pa u ndalur prej ditës së hënë, për të realizuar objektivin e 150 mijë anëtarëve në ditën e 25-vjetorit të lindjes së Partisë Socialiste.

As unë e as shumica dërrmuese e shokëve e shoqeve të trupës drejtuese të PS, nuk kemi dyshuar asnjë çast se anëtarët e familjes sonë politike që, bashkë me qindramijëra qytetarë të tjerë, na dhanë besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm, për të drejtuar qeverinë e Shqipërisë pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit, e kanë mirëkuptuar e mbështetur plotësisht mosmbajtjen e zgjedhjeve për kryetar partie pas marrjes së detyrës së kryeministrit nga ana ime.

Por referendumi i sotëm, e konfirmoi katërcipërisht bindjen tonë, ashtu sikundër mbështeti me një “PO” shumë të fuqishme, vendimin e kongresit të ri për ndryshimin përkatës në statutin e Partisë Socialiste, lidhur me mandatin e kryetarit kur ky i fundit ka edhe detyrën e kryeministrit.

Kjo ditë na dha të gjithëve një arsye më shumë për të qenë krenarë për Partinë Socialiste, ndërsa mua vetë edhe një arsye më shumë për t’i shërbyer me mish e me shpirt familjes sonë të madhe politike, në radhë të parë duke e bërë me ndershmëri, përkushtim e dinjitet, detyrën e lartë të Kryeministrit të Shqipërisë.

FALEMINDERIT TË GJITHËVE”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA