Të martën, përpara ndërtesës së Parlamentit në Rejkjavik, një turmë njerëzish shkelmoi gardhin ndarës, përplasi tenxhere e tiganë dhe qëlloi godinën me vezë.
Kryeministri Sigmundur Gunnlaugsson sapo kishte vendosur të linte detyrën pas akuzave se kishte fshehur interesin ndaj një kompanie offshore të bashkëshortes së tij.
Kreu i qeverisë nuk kishte shkelur ndonjë ligj vendas e as u akuzua për këtë, por kjo pak rëndësi ka. Mjaftoi thjesht ideja e konfiktit të interesit dhe mungesës së transparencës dhe në vendin e vogel të çuar në prag falimentimi prej bankave të dështuara që përdornin kompani guackë në parajsat fiskale, të kërkohej koka e tij.
Është një lloj politike e re që ka marrë formë pas kolapsit financiar të 2008-s. Ato që dikur kufizoheshin në skajet e debatit publik, parajsat fiskale, sekreti bankar, taksat e korporatave, evazioni fiskal, tani kanë zënë vend në politikën “mainstream”.
Ishujt e rrethuar nga sekrete e vërshimet gjigande të parave përmes qendrave bankare offshore nuk lindën sot, por deri vonë subjekte të tilla zor se ndiznin ndonjë interes politik.
“Mbaj mend kur diskutoja një herë me ndihmësin e një senatori në Capitoll Hill, që më pat thënë se, pothuajse çdo shkelje madhore në Shtetet e Bashkuara e ka një lidhje financiare me parajsat fiskale”, thotë Gavin Hewitt i BBC-së.
Për Hewitt, ishte reçesioni i 2008-s ai që ndryshoi gjithçka. Politikanët nuk e shmangin dot më këtë temë. “Besimi u gërrye dhe votuesit nisën të merren me botën e financës. Tani këtyre fenomeneve vëmendje u kushtojnë të gjithë, politikanë e votues bashkë”, thotë analisti.
Top Channel