Gjermani, dëbim azilkërkuesve; do largohen ata që nuk fitojnë azil

09/04/2016 20:55

Koordinatori për refugjatët në qeverinë gjermane i kërkoi landeve të vendit të shtojnë deportimin e azilkërkuesve të refuzuar.

“Vitin që shkoi patëm 37.220 të kthyer vullnetarisht dhe 22.000 të riatdhesuar”, i tha Peter Altmaier gazetarëve të grupit Funke Media.

Një dimension realist për 2016-n do të ishte, sipas tij, dyfishimi i këtyre shifrave dhe këtu janë landet ato që duhet të hidhen në veprim.

Nga sa pohon Altmaier, Zyra Federale për Emigracionin dhe refugjatët është duke vendosur aktualisht për më shumë se 50.000 raste në muaj, ndërsa mbi një e treta e aplikimeve refuzohen.

Zyrtari i mëshon me forcë idesë së rritjes së ndjeshme të numrit të riatdhesimeve. Procesi, thotë ai, duhet përshpejtuar. Altmaier i doli në mbrojtje marrëveshjes BE-Turqi, të krikuar ashpër nga organizatat e të drejtave të njeriut.

“Qëllimi ynë ishte reduktimi i numrit të refugjatëve dhe tashmë është e qartë për të gjithë se kjo gjë po ndodh vërtet”, ishte komenti i tij.

Raportet në media tregojnë sakaq se kancelarja Angela Merkel po kërkon arritjen e një ujdie të ngjashme edhe me Libinë, që ashtu si Turqia shërben shpesh herë si plaftormë e emigrantëve drejt Europës.

“Detyra jonë tani është të sigurojmë një bashkëpunim të tillë edhe me Libinë”, u tha Merkel delegatëve të CDU-së në Berlin, duke iu kujtuar sesi më në fund në Tripoli u vendos një qeveri e unitetit kombëtar, në përpjekje për krijimin e një forme stabiliteti politik në vendin e shkatërruar nga konfliktet e brendshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA