
Deputeti Ben Blushi ka deklaruar këtë të shtunë, sikurse kishte paralajmëruar, se nuk ka votuar në referendumin për legjitimitetin e mandatit të kreut të PS për faktin se ishte diçka e sajuar.
“Sot nuk votova për referendumin që u sajua për të më hequr të drejtën e kandidimit. Ky referendum u krye në shkelje të plotë të statutit dhe rregullave të partisë”, ka deklaruar Blushi.
Ai ka theksuar se, listat për këtë referendum u reduktuan me 20 për qind, ndërkohë që për të bërë të mundur pjesëmarrjen duhet të jenë 50% + 1.
“Nuk u lejua të ketë as fushatë, as vëzhgues dhe as verifikim të listave të zgjedhësve. Përveç Tiranës dhe Durrësit, pjesëmarrja në qytetet e tjera nuk ka kaluar 50 për qind të listës”, ka thënë Blushi.
Ai ka paralajmëruar se, “beteja për të rikthyer zgjedhjet e lira në Partinë Socialiste do të vazhdojë pa u ndalur”.
Top Channel