Alibeaj: Arrestimi i i vëllait tim? Gënjeshtër e fabrikuar nga Tahiri

09/04/2016 00:00

Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike ka reaguar në lidhje me lajmin e dalë nga zyrat e Policisë së Shtetit për arrestimin e vëllait të tij në Gjermani.

Sipas asaj që mësohet nga Policia, arrestimi i tij është bërë për grabitje me armë. Alibeaj e cilësoi të fabrikuar nga ministri i Brendshëm lajmin e përhapur.

“Policia e Shtetit shpërndau lajm të gënjeshtërt për arrestimin e vëllait tim në Gjermani. Lajmi i dalë nga zyrat e Saimir Tahirit tregon sesa të dëshpëruar janë”, thotë Alibeaj.

Në një lidhje me Skype për Top Channel, vetë Taulant Alibeaj ka mohuar një fakt të tillë. Ai është shprehur se nuk është në hetim nga asnjë autoritet, qoftë shqiptar apo i huaj dhe nuk i është komunikuar asnjë akuzë.

Pak më vonë, Partia Demokratike ka dënuar atë që e ka quajtur “fabrikimin e ulët nga Policia nën urdhëra politike”, të lajmit për gjoja arrestimin e vëllait të kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj.

“Kjo shpifje e qëllimshme dhe manipulimi i medias, rezultoi një përpjekje e dëshpëruar e Tahirit për të hedhur baltë mbi përfaqësuesin e PD dhe familjarët e tij, pasi shpejt u pa se lajmi nuk ishte i vërtetë”, thuhet në një reagim.

Partia Demokratike shpreh indinjatën për sulme të tilla “të paprincipta e të bazuar në gënjeshtra, të organizuara pikërisht nga njeriu më i inkriminuar në vend, Saimir Tahiri, me bekimin e shefit te tij”.

“Asnjë presion mjeran si ky nuk e lëkund Partinë Demokratike dhe përfaqësuesit e saj nga beteja e përditshme kundër krimit dhe lidhjeve të qeverisë dhe Edi Ramës me krimin”, vijon reagimi i selisë blu.

Top Channel