Të premten pritet të rinisë kthimi mbrapsht i refugjatëve nga Greqia në Turqi

08/04/2016 00:00

Një grup i dytë emigrantësh pritet që të kthehen në Turqi nga Greqia të premten, si pjesë e marrëveshjes së Bashkimit Europian për të frenuar numrin e emigrantëve që duan të hyjnë në Europë.

Grupi i parë i emigrantëve arriti në Turqi të hënën, por që atëherë procesi ka ngecur, për shkak edhe të rritjes së minutës së fundit të kërkesave për azil në Greqi.

Sipas marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe Turqisë, të gjithë emigrantët të cilët kanë hyrë ilegalisht në Greqi pas datës 20 mars do të kthehen nëse të njëjtit nuk do të aplikojnë për azil në shtetin helen ose nëse kërkesa e tyre do t’ju refuzohet.

Gjithashtu, marrëveshja parashikon që për çdo emigrant sirian të kthyer në Turqi, një sirian me dokumente të rregullta i ndodhur tashmë në atë vend, të sistemohet në Bashkimin Europian.
 
Ndërkohë, Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se vendi i tij nuk do të pranojë më sirianë, nëse Bashkimi Europian nuk përmbush kërkesat e Ankarasë.

“Është një proces që duhet ndjekur, janë kushte konkrete. Turqia nuk do të zbatojë asnjë marrëveshje për të marrë refugjatë sirianë nëse Bashkimi Europian nuk do të plotësojë kushtet e paravendosura në marrëveshjen tonë”, u shpreh Erdogan.

Top Channel