PD: Fermerët të braktisur nga qeveria

08/04/2016 00:00

Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji takoi sot fermerët e qarkut të Beratit, të cilëve u premtoi se Partia Demokratike do ta ngrejë hallin e tyre në çdo forum.

Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për braktisjen e fermerëve për të favorizuar një grup të vogël oligarkësh.

“Ju e ndjeni në fshatin dhe komunën tuaj braktisjen totale që i ka bërë qeveria të gjithë zonave në Shqipëri. Kështu siç jeni ju është e gjithë Shqipëria dhe kam qënë në dy javët e fundit pothuaj në gjithë territorin e Shqipërisë. Problematikë është që qeveria nuk vjen siç vijmë ne sot. Ne sot nuk vijmë për t’ju premtuar por vijmë për t’ju dëgjuar, për ta ngritur shqetësimin tuaj, për t’i dhënë zë këtij shqetësimi, për ta çuar atë në institucione, në parlament, në media, që të vijnë e t’ju japin dëmshpërblimin për përmbytjet, që të vijnë e të mos kenë sjellje kriminale, që tregtari të fitojë më shumë sesa ju që punoni për ditë. Një shtet e ka Rama për të bërë 200 milionë euro e vila në Surrel, një shtet e ka Meta, një shtet e kanë banditët që vijnë rreth e rrotull. Atyre u japin edhe tendera, se ndryshe ku do t’i nxjerrin lekët ata që u japin bandave dhe krimit?! Do t’i marrin nga ju dhe djersa juaj. Sepse krimi nuk punon. Kriminelët duan drogë, duan armë, duan qejf, por nuk duan të punojnë. E kanë gjetur të thjeshtë me Ramën se ua jep paratë që ju merr juve”, tha Salianji.

Edhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lefter Maliqi u shpreh se demokratët po u qendrojnë afër fermerëve të kësaj zone që po vuan braktisjen e qeverisë.

Top Channel