Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot një delegacion me deputetë nga Bundestagu, anëtarë të Grupit të Miqësisë me vendet e Evropës Juglindore. Këtë vizitë Meta e cilësoi si një dëshmi të marrëdhënieve intensive ndërparlamentare mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Meta u shpreh se Shqipëria i vlerëson përpjekjet e Gjermanisë në përballjen me krizën e paprecedentë të lëvizjeve migratore që ka prekur Evropën, duke theksuar se sfidat e përbashkëta menaxhohen më mirë përmes një bashkëpunimi më të ngushtë mes të gjitha vendeve evropiane.
Duke bashkëbiseduar mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, kryetari i Kuvendit u shpreh se reformimi i sistemit të drejtësisë është kyç, jo vetëm për procesin e integrimit evropian, por edhe për rritjen e besueshmërisë së Shqipërisë pranë vendeve anëtare të BE-së, si dhe ndaj investitorëve të huaj.
Nga ana e tyre, deputetët gjermanë rikonfirmuan mbështetjen e Gjermanisë ndaj progresit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe nënvizuan se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme, si për rritjen e besimit të qytetarëve ndaj shtetit ligjor, ashtu edhe për klimën e biznesit, duke vënë në dukje se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe i rajonit është shumë i rëndësishëm për Gjermaninë dhe investitorët gjermanë.
Top Channel