Arrihet marrëveshja, Leskaj e Suli në Kushtetuese; zhbllokohet reforma

07/04/2016 00:00

Deputeti Rakip Suli, mandati i të cilit kërkohet të dërgohet në Kushtetuese nga opozita, paralajmëroi paraditen e së enjtes se situata politike po shkon drejt zhbllokimit.

“Nisma që unë kam marrë sot për t’iu drejtuar kryetarit të Kuvendit që të votohet sot në Parlament dërgimi im në Gjykatën Kushtetuese është për të mos i lënë mundësi opozitës që e ngre si pretendim që nuk ulet në tryezën për reformën në drejtësi”, deklaroi deputeti Suli.

Një normalizim i dukshëm i marrëdhënieve u vu re menjëherë kur nisi punimet Parlamenti, i cili prej pesë javësh kryente seanca të tensionuara.

Opozita nuk e bllokoi foltoren dhe kryetari i Kuvendit lajmëroi arritjen e një marrëveshje për të dërguar në Kushtetuese mandatet e Valentina Leskajt dhe Rakip Sulit.

“Kemi rënë dakort për të mbledhur Këshillin e Rregullores dhe të Mandateve”, deklaroi Meta.

Situata e çtensionuar për çështjen e mandateve të dy deputetëve u reflektua edhe në qëndrimin e ish-kryeministrit, i cili ka qenë nismëtar për dërgimin në Kushtetuese të dy deputetëve.

Valentina Leskaj: Kërkoj edhe njëherë në seancë që sot të votohet kërkesa, pra duke respektuar rregullat për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese.

Sali Berisha: Më duhet të them se zonja Leskaj bëri detyrën e vet, por pasagjerët nuk zbresin nga treni.

Pavarësisht batutave, për reformën në drejtësi nuk duket se do të ketë ndonjë përparim, derisa Parlamenti të marrë vendimin të enjten e ardhshme.

“E mirëpresim një akt të tillë, pavarësisht se ky Parlament edhe në këtë moment, derisa të bëhet votimi i këtyre akteve vazhdon të jetë në krim kushtetues”, deklaroi Paloka.

Top Channel