Kryetarja e Komisionit parlamentar për punën, çështjet sociale dhe shëndetësinë, Albana Vokshi ka denoncuar në një tryezë indiferencën e institucioneve shtetërore ndaj nevojave të komunitetit rom.
Tryeza është mbajtur në selinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe sipas Vokshit, “përbën një thirrje për të gjithë ne politikanët për më shumë vëmendje institucionale për respektimin e të drejtave të komunitetit rom”.
“Njëkohësisht është një ditë reflektimi, pasi në raportet mbi statusin socio-ekonomik me trishtim konstatojmë se komuniteti rom përjeton diskriminim racial nga institucionet shtetërore. Konstatuar kjo edhe nga raportime të institucioneve ndërkombëtare si Raporti i Progresit i fundit i BE, Amnesty International, apo raporti vjetor i të drejtave të njeriut i Departamentit të Shtetit”, ka deklaruar Vokshi.
Deputetja demokrate ka vlerësuar se, “të gjendur përballë një kaosi reformash për qevernë qëndrore dhe ato lokale, grupet vulnerabël janë prekur nga varfëria ekstreme dhe jetojnë edhe sot si në mesjetë.
“Komuniteti rom është më i braktisuri e më i diskriminuari në vend, i nënpërfaqësuar, pa akses në shërbime dhe përjeton diskriminim racial. Pra, shumë pak është realizuar nga ëndrra e Martin Luther King për të drejtat e njerëzve me ngjyrë në Shqipëri, e shprehur në fjalimin e famshëm ‘I have a dream’”, ka thënë më tej Vokshi.
Top Channel