Partia Demokratike, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani, ka deklaruar se raporti i Bashkimit Europian për drogën ka konfirmuar se vendi ynë “është në krye të listës së prodhimit të hashashit dhe të tregtimit të tij të paligjshëm”.
“Ky raport i Bashkimit Europian është pohimi, konfirmimi ndërkombëtarisht i asaj që qytetarët shqiptarë e dinë mirë, është pohimi i asaj që Partia Demokratike e ka denoncuar çdo ditë, është konfirmimi se kanabizimi masiv i vendit, përmes grupeve kriminale të lidhura me policinë, me Saimir Tahirin dhe Edi Ramën, është realiteti i hidhur që po jetojmë. Prej tre vitesh trafikantët e drogës, lordët e hashashit kanë gjetur parajsën në Shqipëri, pasi ata erdhën në pushtet me Edi Ramën, ndajnë pushtetin me të dhe do të tentojnë të mbajnë pushtetin duke blerë votën e shqiptarëve të pamundur, sa herë t’i thërrasë Kumbari”, tha Ristani.
“Trafikantët e kthyen Shqipërinë në Kolumbi të Europës sepse i kanë të gjitha lehtësitë, pasi përdorin makinën private të ministrit të Brendshëm, emërojnë njerëzit e tyre në polici, kanë kapur pikat kyçe në dogana e institucione të tjera të zbatimit të ligjit, kanë shkrepësen në dorë për djegjen e provave dhe gëzojnë shfajësimin e Tahirit kur goditen nga shërbimet partnere. Akoma më keq, shumë trafikantë, të proceduar e të dënuar për trafiqe, janë direkt ushtrues pushteti, nga drejtor drejtorie, kryetar bashkie, e deri deputet të Parlamentit. Bashkimi Europian me këtë raport të rëndë për vendin dhe imazhin e Shqipërisë, thjesht ka pohuar pasojat e inkriminimit masiv, pasojat e bashkëqeverisjes me krimin e trafikun”, shtoi Ristani.
Top Channel