“Panama Papers”, Ekonomi e Manjani: Ligje të reja për transparencën

06/04/2016 00:00

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi deklaroi se ka nisur hetimi për të gjitha kompanitë apo shtetasit shqiptarë apo të huaj që operojnë në tregun shqiptar, mbi përfshirjen e mundshme në çështjen “Panama Papers”.

Ekonomi tha se në verifikim janë disa kompani e koncesione, jo vetëm kompania GFI zbuluar këto ditë në media.

“Menjëherë sapo lajmi është bërë publik në mediat ndërkombëtare, zyra jonë e Atrakos ka filluar të shohë çdo mundësi që ka të bëjë me thellime të mëtejshme në informacion. Sapo të jemi të qartë për gjërat që po ndodhin do ua vëmë në dijeni”, tha Ekonomi.

Ndërkohë ministri i Drejtësisë Ylli Manjani paralajmëroi ndryshimin e legjislacionit me qëllim rritjen e tranparencës për kompanitë offshore duke u bazuar në modelin gjerman.

“Çdo kompani offshore e regjistruar në vendet offshore që do të investojë në Shqipëri ose është në Shqipëri, sipas këtij ligji të ri eventualisht, kur të jemi gati për ta bërë, do të duhet të ekspozojë se kush janë aksionerët”, tha Manjani.

Deri më tani është vetëm një kompani përfolur në publikimin e skandalit “Panama Papers”. Bëhet fjalë për koncesionarin GFI, i cili në vitin 2013 nga qeveria Berisha, ka marrë për 10 vite shërbimin e markimit të karburanteve në vend, kundrejt një pagese prej 150 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB