Skandali “Panama Papers” që ka tronditur botën, ka prekur edhe vendin tonë. Prokuroria dhe policia shqiptare janë vënë në lëvizje pasi dyshohet se në këtë rast është i implikuar edhe biznismeni shqiptar Ismail Mulleti.
Në lidhje me biznesmenin, “Zëri Amerikës”, duke cituar një burim policor, shkruan se policia shqiptare ka verifikuar hyrje-daljet nga Shqipëria të tij dhe izraelitit Assaf Halkin dhe rezulton se ata të dy kanë realizuar shumë udhëtime nga dhe drejt Shqipërisë, shpesh dhe me avionë charter.
“Policia shqiptare ka verifikuar menjëherë hyrje daljet nga Shqipëria të Ismail Mulletit dhe izraelitit Assaf Halkin. Mulleti rezulton që të ketë dalë nga vendi pak javë më parë, në mars, ndërsa Halkin në muajin shkurt. Ata që të dy kanë realizuar shumë udhëtime nga dhe drejt Shqipërisë, shpesh dhe me avionë charter”, shkruan “Zëri Amerikës”.
Gjatë ditës së martë, Top Channel kërkoi një reagim nga zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshëm, që deklaroi se prokuroria po bashkëpunon me institucione të tjera ligjzbatuese për të qartësuar situatën mbi përfshirjen e mundshme në çështjen “Panama Papers” të kompanive ose shtetasve shqiptarë apo të huaj që operojnë në tregun financiar shqiptar.
Top Channel