Rikthehet për gjykim masakra e Kozares

05/04/2016 00:00

Gjykata Kushtetuese kthen sërish për gjykim një nga masakrat që tronditën vendin 10 vjet më parë. Luan Mara, i dënuar me burgim të përjetshëm do të rigjykohet sërish nga Shkalla e Parë në Berat, mbi  dyshimet se ka kryer vrasje të trefishtë duke u marrë jetën të vëllait Shpëtimit, bashkëshortes së tij, Flories shtatzënë dhe djalit të çiftit Artiolit.

Në vendimin që Top Channel zotëron, Gjykata Kushtetuese shprehet për herë të dytë  se ka gjetur shkelje kushtetuese për mënyrën sesi janë marrë provat, sesi është kryer eksperimenti hetimor dhe sesi u mor dëshmia  vetë-inkriminuese e të pandehurit.

Autoritetet shtetërore, thotë Gjykata Kushtetuese, duhet të kryenin një hetim të plotë, ndërkohë që Gjykata e Lartë, sipas Kushtetueses, nuk i ka kontrolluar vendimet e shkallëve të tjera në mënyrë që të konfirmohej një proces i rregullt ligjor.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, megjithëse kjo çështje është kthyer edhe një herë prej saj, gjykatat duhet të ishin korrigjuar dhe të sqaroheshin rrethanat sesi janë marrë provat gjatë hetimit paraprak.

Menjëherë pas vendimit, avokati i Luan Maras i bën apel ministrit të Brendshëm që të marrë masa për oficerët e policisë që dhunuan klientin e tij e që sipas avokatit e detyruan të jepte një dëshmi kundër vetes.

Kundër Luan Maras, që njihet si autori i masakrës së Kozares, prokuroria ka dy prova kryesore, ekspertimin hetimor dhe pohimin e krimit nga i dyshuari.

Të dyja këto të konsideruara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të siguruara në mënyrë të paligjshme.

Top Channel