Në një prononcim për mediat nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka prekur çështjen e njohur si “Dokumentet e Panamasë”, duke nënvizuar se natyrshëm në vendin tonë vëmendja bie mbi gjithçka që lidhet me Shqipërinë.
“Siç ju jeni në dijeni ka edhe informacione që vijnë nga media botërore ku dhe segmente shqiptare janë të përfshira në çështjet e shfrytëzimit apo të shpërdorimit për qëllime të pasurimit të paligjshëm në parajsat fiskale, siç është rasti i Panamasë. Por mendoj që organet e hetimit shqiptar duhet të jenë absolutisht shumë të vëmendshme për të hetuar çdo ngjarje, çdo informacion, nga çdo lloj burimi që ai vjen, për të gjitha këto lloj ngjarjesh që lidhen me këto parajsa fiskale, në Panama, në Qipro, në ishujt Bahamas, në Dubai, në Monako e gjetkë”, ka deklaruar Vasili.
Ai ka vlerësuar se, “është fare e qartë që burimet e paligjshme dhe mënyrat e pastrimit të parasë apo të evazionit të madh fiskal kanë në këto mjedise mundësi për të devijuar paratë”, “të cilat janë detyrime ndaj fiskut shqiptar, apo për të financuar aktivitete të tjera, ndaj edhe këto hetimit duhen të shtrihen”, ka thënë Vasili.
Por, ka shtuar ai, “duke pasur parasysh një nga informacionet e fundit shohim që lidhet me një aktivitet të caktuar, që ka të bëjë me konçesionimin”.
“Dhe pikërisht për këtë arsye mendoj që nisma konkrete e ndërmarrë nga një grup deputetësh të LSI për përmirësimet e ligjit të konçesioneve, në mënyrë të veçantë për të thelluar dimensionin e transparencës në këtë ligj dhe për të rritur përgjegjshmërinë e madhe publike dhe shtetërore në diskutimin e çdo nisme koncesionare, është besoj një qëndrim shumë i rëndësishëm, por edhe i dobishëm”, ka thënë Vasili.
Top Channel