Kthimi i ligjit të “kamerave”, Tahiri: Mes privatësisë dhe sigurisë, fiton siguria

05/04/2016 16:50

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri tha se qeveria do të reflektojë mbi ligjin për sigurinë publike, nëse sugjerimet e Presidencës janë të arsyeshme dhe ligjore. Megjithatë, ai theksoi se tashmë kudo në botën e zhvilluar nuk ka më debat se cila është më e rëndësishme mes privatësisë dhe sigurise publike.

Një ditë pas kthimit nga Presidenti Nishani të ligjit për sigurinë publike, i cili parashikon vendosjen e kamerave në mjedise publike dhe private, ka ardhur dhe reagimi i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Nga Lezha, ku inauguroi zyrën e shërbimit unik të policisë, Tahiri u shpreh se qeveria është e hapur për çdo sugjerim, kur ato janë të arsyeshme dhe ligjore.
 
“Presidenti ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese. Ka shfaqur edhe disa rezerva, të cilat kam shumë besim se bashkë me komisionet në parlament do i shohim dhe do të reflektojmë”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, në asnjë vend të zhvilluar të botës nuk ka më debat nëse duhet te gjejmë balance mes privatësisë dhe nevojës për siguri: “Nëse qytetarët e Lezhës do të dinin se në shkolla ka kamera sigurie, prindërit do të ishin më të sigurtë për jetën e tij”.

Argumenti për kthimin e ligjit, sipas Presidencës, është cënimi dhe e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare e garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane per te Drejtat e Njeriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA