Greqi, parlamenti voton projektligjin e kthimit të refugjatëve

02/04/2016 12:20

Me shumicë votash, Parlamenti grek ka aprovuar projektligjin për refugjatët që parashikon kthimin në Turqi të gjithë atyre që kanë kaluar në ishujt grekë nga brigjet turke pas 20 marsit, sipas marrëveshjes që ka nënshkruar Bashkimi Europian me Turqinë.

“Nëse marrëveshja ka sukses, flukset nga brigjet e Turqisë në ishujt grekë do të ulen deri në zhdukjen e tyre. Do ta shohim ne praktike”, thotë Jorgos Kyritsis, zëdhënës i Qeverisë për Emigracionin.

Por pala greke është skeptike nëse Turqia mund të përmbushë angazhimet e saj ndaj Bashkimit Europian, pasi përveç 21 nëpunësve që ka dërguar në Mitilini, nuk ka plotësuar përgatitjtet e nevojshme për pritjen e mijëra refugjatëve që do të kthehen.

“Kemi një Turqi që besueshmëria i gjykohet çdo ditë. Nuk mund të themi se shkon mirë apo keq, jemi mosbesues. Presim çdo ditë që të provojë nëse do të respektojë përgjegjësinë që mori ndaj BE”, u shpreh Janis Mouzalas, ministër i Emigracionit.

Sipas detajeve të operacionit të rikthimit të refugjatëve që publikon agjencia shtetërore greke, duke filluar nga e hëna dy anije çdo ditë do të çojnë nga Mitilini në Dikili përkatësisht nga 50 dhe 100 refugjatë në çdo rrugë të shoqëruar secili me nga një prej policëve vendas apo te huaj që do të dërgojë BE.

Por në Kios qindra refugjatë që janë larguar nga hotspoti i ishullit duke kapërcyer gardhin dhe duke mos gjetur pengesë nga policia, kanë shkuar në port dhe kundërshtojnë që të rikthehen në Turqi.

“Njerëzit këtu nuk pranojnë të kthehen në Turqi. Nuk e di sesi do të na trajtojnë. Do të na deportojne me forcë. Nuk e di. Ne nuk do kthehemi pas. Kemi familjet në Europë, kemi fëmijët, familjet tona janë atje”, thotë Mustafa, një emigrant nga Libani.

Për Athinën zyrtare, realizimi i planit të ridërgimit të refugjatëve në Turqi është me një rëndësi jetike sidomos pas sondazhit të fundit të Universitetit të Maqedonisë për llogari të televizionin SKAI ,sipas të cilit 65 përqind e grekëve janë të pakenaqur me manaxhimin e krizës së refugjatëve nga qeveria, ndërsa në preferencën e tyre tashmë, edhe për shkak të krizës ekonomike, ndodhen konservatorët që udhëheqin me 24.5 përqind, tetë pikë më shumë se partia qeveritare Syriza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA