Kreu i Kuvendit Ilir Meta në një koment në gazetën gjermane “Der Haupstadt brief” shprehet se Shqipëria do të kujdeset për sigurinë e kufijve të saj të jashtëm, referuar fluksit të refugjatëve.
“Si një vend europian, Shqipëria do të marrë përsipër përgjegjësinë e saj si përkundrejt qytetarëve të saj ashtu dhe përkundrejt BE-së, sikurse do t’i ofrojë ndihmë njerëzve në nevojë. Në bashkëpunim me BE dhe me fqinjët tanë ne do të marrim masa parandaluese për të përballuar një situate të tillë të mundshme. Ndërkohë, Shqipëria do të veprojë në mënyrë proaktive për të shmangur një valë migratore të pakontrolluar. Ne po punojmë me partnerët tanë për të forcuar kapacitetet tona për kontrollin e kufijve. Por ne nuk do të ndërtojmë mure”, thotë z. Meta në komentin e tij.
Kreu i Kuvendit thotë se Shqipëria është duke marrë masa përkundrejt rrezikut real të depërtimit të terroristëve me masat e refugjatëve.
“Ne po marrim masa ndërkohë për të forcuar kapacitetet për një regjistrim dhe verifikim sa më të plotë të personave që mund të hyjnë në vendin tonë. Për këtë është e nevojshme që të kemi një shkëmbim më të mirë të informacioneve dhe bashkëpunim të agjencive ligjzbatuese, si dhe një mbështetje më të gjerë nga ana e BE-së. Çdo vend tranzit që preket nga valet migratore duhet të jetë në gjendje të verifikojë, se personat që paraqiten si azilante nga vendet e luftës janë vërtetë ata që pretendojnë të jenë. Ne duhet të jemi në gjendje të sigurohemi se këta persona nuk kanë lidhje me grupet terroriste dhe për këtë duhet një shkëmbim i shpejtë i të dhënave biometrike me vendet e BE-së”, shkruan më tej z. Meta.
Duke thënë opinionin e tij për median gjermane, Meta thtoë se është shumë e rëndësishme që njerëzit që kërkojnë azil të pranohen në një vend sa më afër vendit të tyre të origjinës. Në këtë mënyrë do të krijohet mundësia e kthimit të menjëhershëm në vendet e tyre, sapo situata të ndryshojë.
Top Channel