Kryetari i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj u takua këtë pasdite me komisionerin e BE për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Gjatë takimit, Xhafaj vlerësoi qasjen e re të komisionit, duke e vënë theksin tel nevoja për të bërë reforma reale dhe jo thjesht ligje.
Ai bëri një ekspoze të procesit deri më tani, duke nënvizuar bazimin tek gjithëpërfshirja, transparenca, konsultimi me ekspertët dhe dialogu i vazhdueshëm.
Xhafaj nënvizoi edhe përgjegjësinë e klasës politike për miratimin e projektit kushtetues, “si detyrim ndaj pritshmërisë së lartë të qytetarëve dhe interesave të vendit”.
Deputeti socialist i kërkoi komisionerit Hahn mundësinë e mbështetjes nga Brukseli për hapat e mëtejshëm të reformës, veçanërisht lidhur me zbatimin e saj, ngritjen dhe forcimin e institucioneve të reja të sistemit, etj.
Ata diskutuan edhe për procesin e vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, rolin e BE në këtë fazë të procesit, si dhe mbi nevojën e një tryeze donatorësh për mbështetjen afatgjatë buxhetore të sistemit.
Nga ana e tij, komisioneri Hahn evidentoi faktin se Brukseli është treguar i kujdesshëm që reforma në drejtësi të jetë, siç u shpreh ai, pronë e shqiptarëve.
Hahn u shpreh i vetëdijshëm se reforma është e vështirë, por u shpreh edhe besimplotë se ajo do të japë rezultate pozitive për të ardhmen europiane të vendit.
Më tej, ai vlerësoi kërkesat për asistencë financiare dhe ekspertizë teknike dhe u shpreh i gatshëm të iniciojë hapat përkatës në këtë drejtim.
Top Channel