
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë sot në mesditë masën “arrest me burg” për 3 personat e arrestuar tre ditë më parë gjatë operacionit “Porosia”, të cilët po tentonin t’i shisnin një agjenti të infiltruar 6 mina që telekomandoheshin me celularë, dy armë zjarri pistoletë dhe një snajper.
Shtetesit e arrestuar (Flamur Dinosha 35 vjeç, Ilmi Isufaj 55 vjeç dhe Shkëlzen Metalija 37 vjeç) akuzohen për mbajtje dhe trafikim të municioneve dhe armëve luftarake.
Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura, pa praninë e medias, por mësohet se organi i akuzës është shprehur se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë aktivitetin kriminal të personave në fjalë, duke kërkuar masë arresti me burg.
Ndërkohë, burime nga grupi hetimor pohuan për Top Channel se dyshimet janë që minat e telekomanduara dhe snajperi me dy pistoletat të kenë hyrë nga Mali Zi dhe hetimet vazhdojnë për lidhjet e këtij grupi me grupe kriminale në Mal të Zi.
Top Channel