Ministri i Jashtëm norvegjez, në Tiranë për investime, reformat dhe refugjatët

30/03/2016 17:05

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Borge Brende po zhvillon një vizitë në Tiranë, ku fillimisht është pritur në një takim nga homologu i tij, Ditmir Bushati.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri Brende u kujdes të nënvizonte se kjo është vizita e parë e një ministri të Jashtëm norvegjez në Shqipëri në 18 vitet e fundit.

Ndërsa duke folur për partneritetin mes dy vendeve, ai e vuri theksin tek ekonomia dhe konkretisht tek investimet norvegjeze në vendin tonë.

“Kemi ndërmarrë investime në fushën e naftës, të prodhimit të energjisë elektrike përmes burimeve hidro-energjitike, etj”, tha Brende.

Por, bashkëpunimi, sipas shefit të diplomacisë norvegjeze, nuk mbaron me kaq. “Kemi bashkëpunim edhe për reformën në drejtësi dhe reforma të tjera. Vizita ime këtu është dëshmi për mbështetjen e këtyre reformave dhe ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Brende.

Gjithashtu, vuri në dukje ai, Osloja zyrtare i kushton rëndësi të madhe lidershipit rajonal të Shqipërisë. “Duhet të sigurohemi që Ballkani është një pjesë e qëndrueshme e Europës dhe në këtë drejtim Shqipëria mund të luajë rolin stabilizues, pasi është anëtare e NATO-s”, vijoi Brende.

Nga ana tjetër, ministri Bushati bëri të ditur se gjatë qëndrimit në Tiranë të homologut të tij do të bisedojë me të edhe për krizën e refugjatëve.

“Do të flasim për krizën e refugjatëve, për rritjen e  bashkëpunimit me vendet e BE, në mënyrë që vendi ynë të mos jetë i vetëm në përballimin e kësaj krize”, tha Bushati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA