Basha pas lirimit të protestuesve: Do vijojmë betejën tonë

30/03/2016 21:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar mbrëmjen e së mërkurës pas lirimit të protestuesve të Parkut të Liqenit, duke deklaruar se, më të vendosur se kurrë do të vazhdojnë betejën për kauzën e tyre.

“13 burra e të rinj demokratë që u ngritën për të mbrojtur parkun e ligjin, që u dhunuan brutalisht dhe u rrëmbyen nga policë me maska e u mbajten 3 dite ne arrest të paligjshëm, dolen të lirë, më të vendosur e me më shumë energji për t’i shërbyer kësaj kauze të qytetit, të vendit dhe demokracisë”, ka deklaruar Basha.

Ai ka vlerësuar se, në sytë e në zërin e këtyre burrave ka vetëm vendosmëri dhe entuziazem për të vazhduar me forcë “betejën me tiraninë”.

Në reagimin e tij, kryetari i opozitës ka shprehur “mirënjohje të thellë dhe nderim” për Çim Babasin, Arlind Kajon, Behar Hasën, Erion Dizdarin, Franc Dokën, Gerald Metkon, Grigels Muçollarin, Indrit Hoxhën, Jurgen Kupin, Klejt Kalanë, Silvio Shemen, Soven Shemen dhe Tonin Kolthin.

“Këta trima të kurajos dhe burrërisë qytetare nuk kanë qenë të vetëm për asnjë sekondë. Dhe sot bashkë me demokratët e mbarë qytetarët e vendit jemi më të bashkuar e në shumicë absolute për të mbrojtur qytetin, ligjin, demokracinë para oligarkisë dhe bandës në ikje”, ka shtuar Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA