Maqedoni, policia shton masat në rajonin e Shkupit dhe Kumanovës

26/03/2016 18:15

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ka shtuar masat e sigurisë në rajonin e Shkupit dhe Kumanovës, duke stacionuar forca të shumta policore në fshatrat me popullsi shqiptare, si Haraçina, Nikushtaku, Sllupçani, Vaksinca dhe Llojani.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski ka vizituar të shtunën disa nga këto fshatra prej nga ka bërë të ditur se policia ka shtuar prezencën për shkak të krizës së refugjatëve.

“Kemi shtuar prezencën në këtë terren për shkak të krizës. Rajoni i Kumanovës dhe ai i Shkupit duhet të jenë nën mbikëqyrje më të madhe për shkak se ndodhen në kufirin verior me Serbinë. Janë shtuar rastet e kalimit ilegal të kufirit dhe ju e dini se në këtë kufi kalojnë emigrantë. Siguria e qytetarëve i arsyeton të gjitha mjetet që po zbatohen”, deklaroi Spasovski.

Ministri i Brendshëm mohoi spekulimet e disa mediave se shkak për forcimin e masave të sigurisë është një grup i armatosur që ka hyrë nga Kosova dhe apeloi që të mos shkaktohet panik tek popullata.

Megjithatë, banorët e këtyre fshatrave nuk ndjehen të sigurt. Ata kanë frikë nga përsëritja e ngjarjeve që ndodhën në Lagjen e Trimave në Kumanovë vitin e kaluar.

“Që prej konfliktit të vitit 2001, rinia, fëmijët dhe gratë kanë frikë. Ne nuk e dimë se çfarë po ndodh këtu dhe në fshatin tonë nuk ka emigrantë. Ata janë strehuar në fshatrat Vaksinë dhe Llojan”, thotë Selajdin Ahmeti, banor i fshatit Mateç.

Krahas përqendrimit të forcave të shumta në rrugë, policia po vëzhgon terrenin edhe nga ajri, me helikopterë. Ministria e Brendshme nuk ka treguar se deri kur do të jenë në fuqi këto masa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA