Pas shumë debatesh publike, thirrjesh dhe peticionesh të firmosura nga intelektual të vendit, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dekretuar mëngjesin e së premtes amnistinë për Nazime Vishën, pas kërkesës së ardhur nga Ministria e Drejtësisë.
Në dekretin e Presidentit thuhet se tek kërkuesja është vlerësuar pendimi, sjellja e saj si e dënuar dhe arsyetimi ligjor dhe propozimi i Ministrit të Drejtësisë.
Vetëm pak orë pas këtij dekreti, në dyert e burgut 325 në Tiranë është shfaqur gjyshja e Nazimes, e cila ishte dhe personi i parë që e takoi pas lirimit.
“Falenderoj shumë ministrin e Drejtësisë, zotin Manjani, falenderoj Ismail Kadarenë, drejtoreshën e institucionit Zoje Jaka, të gjithë pa përjashtim”, tha Nazimja.
E pyetur se çfarë do të bënte tani që rifitoi lirinë, Nazimja është përgjigjur: “Shkollën. Më kanë siguruar një bursë për të vazhduar shkollën”, u përgjigj 22-vjeçarja.
Nazime Visha u arrestua në verën e vitit 2012 kur ishte vetëm 18 vjeçe, pasi vrau Fiqiri Muçën, personin që kishte abuzuar me të, dhe ky fakt e shtyu Nazimenë të kryente vrasjen.
Ajo u dënua me 10 vite burgim për këtë ngjarje, por pa bërë as katër vite burgim u lirua, pas nje aksioni të ndërmarrë jo vetëm nga shoqëria civile, por dhe nga ministri i Drejtësisë dhe deputetë, të cilet i kërkuan presidentit të Republikës lirimin e saj.
Top Channel