Pavarësisht stinës së pranverës, juglindja e vendit i është rikthyer të ftohtit dhe temperaturave të ulta. Një borë e pazakontë për stinën ka mbuluar qytetin juglindor të Korçës.
Prej orëve të para të së premtes, reshje të dendura bore janë regjistruar në gjithë qarkun, duke arritur trashësinë deri në 10 cm në zonat më të larta. Si rrjedhojë e reshjeve edhe njëherë qytetarët e Korçës i janë rikthyer veshjes së tyre dimërore dhe çadrave si në një ditë dimri.
Sipas të dhënave në gjithë qarkun, bora nuk ka krijuar probleme në akset rrugore, ndërsa pavarësisht rënies së saj temperaturat nuk kanë rënë çka ka bërë që ajo të shkrijë në pak orë. Trashësia maksimale e borës ka arritur në pikën turistike të Dardhës ku janë regjistruar 10 cm borë, ndërsa më pak reshje ka pasur në Voskopojë dhe Qafë-Thanë.
Pavarësisht fenomenit të pazakontë, situata në akset dhe rrugët e gjithë qarkut raportohet normale.
Top Channel