Hasan Halili, ish-kryetar i Bashkisë së Kukësit, është shpallur në kërkim. Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe gjykata dha masën e ndalimit “arrest me burg”, por ish-kryebashkiaku nuk është gjetur në banesë.
Ndërkohë janë ndaluar disa nga bashkëpunëtorët e tij si Mirdash Hoxha, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve; Lekë Deda, ish-drejtor i Financës pranë Bashkisë Kukës; dhe Gëzim Ukperaj, ish-drejtor i Borxhit në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve.
Sipas prokurorisë së qarkut verior, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një seri veprimesh fiktive, duke e regjistruar Bashkinë Kukës si aksionere në shoqërinë “Klubi i Futbolli Kukës Sh.A”, për të cilën më pas kanë paguar në mënyrë të paligjshme, në formë sponsorizimi, në periudhën 2011-2015 rreth 45 milionë lekë.
Këtë shumë, Bashkia e Kukësit e ka siguruar duke mos paguar kontributet shoqërore dhe shëndetësore për pjesën më të madhe të punonjësve në varësi të institucionit. Kreu aktual i bashkisë bëri padi pasi u gjet se pagesat e sigurimeve nuk ishin realizuar.
Sipas prokurorisë, shoqëria “Klubi i Futbollit Kukësi” është krijuar në vitin 2011, si një shoqëri tërësisht private. Në vitin 2012, me një vendim fiktiv, me kërkesë të kryetarit të asaj kohe, Bashkia Kukës u regjistrua si aksionere e kësaj shoqërie, pa asnjë bazë ligjore.
Veç kësaj, ekipit iu dhanë 45 milionë lekë dhe hetimi provoi se këto pagesa ishin kryer tërësisht në kundërshtim me ligjin.
Top Channel