Agjentë të policisë së Durrësit kanë finalizuar në orët e fundit operacionin e koduar “Schengen”, përmes të cilit është vënë në pranga një person që mundësonte kalimin e personave me precedentë penalë në zonën në fjalë.
Sipas një njoftimi për shtyp të drejtorisë lokale të policisë, operacioni është ekzekutuar pas një hetimi 3-mujor të ekspertëve të antitrafikut, të cilët kanë vënë në pranga shtetasin Halil Bafti, 50 vjeç nga Fushë Kruja.
Sipas njoftimit, nga hetimet është dokumentuar se, Bafti gjatë kësaj periudhe ka mundësuar hyrjen në Schengen të të paktën 100 personave me precedentë në vendet që mbulon kjo zonë.
Në këmbim të shumave që varionin nga 500 deri në 3.000 euro, 50-vjeçari mundësonte kalimin e shtetasve nga Shqipëria dhe Kosova kryesisht drejt Gjermanisë.
Materialet hetimore i kanë kaluar ndërkohë Prokurorisë së Krujës, që ka ngritur ndaj të dyshuarit akuzën e “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Ndërkohë, hetimet mbi këtë rast vazhdojnë.
Top Channel