Presidenti Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Këshillin e Evropës, u takua edhe me Presidentin e ri të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi.
Kreu i shtetit shprehu keqardhjen për viktimat e atentatit terrorist në Bruksel, duke u solidarizuar me popullin dhe institucionet belge dhe ato evropiane. Në këtë kuadër, Nishani e përshëndeti rolin e GjEDNj si promotore e demokracisë dhe lirisë në Evropë, të cilat po sfidohen sot në mënyrën më ekstreme nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Kreu i Shtetit e siguroi zotin Raimondi për solidaritetin dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë krah aleatëve të saj në luftën kundër ISIS-it dhe terrorizmit ndërkombëtar.
Më pas, Nishani vlerësoi rolin dhe kontributin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në mbarë kontinentin evropian, si dhe theksoi rëndësinë që ka për qytetarët evropianë të përfitojnë nga garancitë që i jep Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut në rast shkeljeje të të drejtave të tyre.
Kreu i Shtetit e informoi zotin Raimondi mbi ecurinë e reformës në drejtësi, si dhe theksoi se kjo reformë është prioritare, pasi është e vetmja mundësi për të krijuar një sistem drejtësie, të pavarur, profesional, dhe të pakorruptuar. Presidenti Nishani shprehu besimin se pas opinionit të Komisionit të Venecias, forcat politike nuk duhet të humbin më kohë, por duhet të veprojnë dhe punojnë për ndryshimet kushtetuese që do të sigurojnë ndërtimin e një sistemi drejtësie sipas parimit të kontrollit dhe balancës.
Një vëmendje të veçantë Presidenti Nishani ia kushtoi çështjes së pronave dhe kompensimit të pronarëve të shpronësuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si një e drejtë fondamentale dhe një nga prioritetet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Nishani e njohu zotin Raimondi me këndvështrimin e tij për ligjin e miratuar së fundmi nga Parlamenti shqiptar për kompensimin dhe trajtimin e pronës, si dhe evidentoi ankimimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se “përmes këtij ligji, është prekur standardi i vendosur përmes Kushtetutës dhe jurisprudencës së saj, por edhe standardi i vendosur nga Konventa dhe jurisprudenca e saj, si dhe janë anashkaluar edhe mesazhet e dhëna nga GjEDNj jo vetëm përmes vendimit pilot, por edhe çështjeve më të fundit të trajtuara prej saj”.
Top Channel