Katër dëshmitarët e parë u dëgjuan në procesin ndaj deputetit Armando Prenga, i vënë nën gjykim penal për plagosje të lehtë me dashje të tre personave, kanosjen e katër të tjerëve dhe armëmbajtje pa leje.
Por ndërsa prokuroria pretendon se mes 75 dëshmitarëve që do të pyeten në Gjykatën e Lartë ka nga familja Cali, që do të rëndojnë pozitën e deputetit, nga dëshmitaret që janë efektivë policie asnjëri nuk e ka parë atë në vendngjarje.
Të katër dëshmitarët e parë, efektivët e policisë Agim Vathi, Gjon Kola, Lutfi Hima dhe Ndue Piroli i thanë Gjykatës së Lartë se nuk e kishin parë Armando Prengën të ishte në grumbullin e njerëzve që u përleshën me armë e sende të forta para komisariatit.
Madje, ata nuk kishin njohur asnjërin prej tyre. Tre prej tyre përshkruan se ishin njoftuar nga salla operative për t’u zhvendosur me shërbim në Lagunën e Patokut, i kthyer në “mollë sherri” mes familjes Prenga dhe Cali.
“Kur takuam Gjok Calin, ai ishte i gjakosur dhe na tha se e kishte qëlluar deputeti Prenga. Ne e morëm në komisariat për të marrë kallëzimin”, tha njëri prej tyre.
Gjykata kërkoi shpjegime se, përse policia mbrëmjen e 5 shtatorit nuk e këqyri dhe ruajti vendngjarjen, por efektivët deklaruan se kushtet atmosferike ishin të papërshtatshme.
Ndërsa më pas, sipas prokurorisë, konflikti u zhvendos në hyrje të komisariatit. Efektivi Lutfi Hima, i cili ishte me shërbim roje në komisariat, përsëriti njësoj si kolegët se kishte dëgjuar të shara e krisma, por nga errësira ai nuk kishte dalluar asnjë nga njerëzit që kishte qëlluar.
Seanca e radhës është më datë 11 prill dhe është thirrur për të dëshmuar shefi i rendit të këtij komisariati, Ylli Vata.
Top Channel