Hetimet për atentatet; ish-polici, sekuestro kamerave. Për biznesmenin ndalohen kunetërit

17/03/2016 15:20

Vrasja e ish-efektivit të policisë Ajet Zeqaj mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytet mund te jetë regjistruar nga kamerat e sigurisë të disa bizneseve që gjenden në rrugën “Nikoll Tupe”, ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Pamjet filmike tashmë janë në duart e grupit hetimor dhe pritet të japin informacione të vlefshme për identifikimin e autorit të vrasjes, i cili mësohet se ka qenë i maskuar me një kapele që i mbulonte fytyrën.

Ky i fundit ka përdorur një pistoletë me silenciator për të ekzekutuar Zeqajn, i cili është qëlluar sapo ka dalë nga mjesidet e një bilardoje, ku kishte qëndruar në shoqërinë e një shoku të tij.

Viktima kishte rreth 3 javë që ishte kthyer nga Franca dhe dyshohet se ngjarja ka lidhje me aktivitete të jashtligjshme ku 41-vjeçari mund të jetë përfshirë në këtë shtet.

Ajet Zeqaj, nga Tepelena, ka shërbyer si efektiv i policisë rrugore në vitet 2001- 2002, ndërsa për një periudhë të mëhershme, në vitin 96, ka qenë edhe pjesë e forcave speciale të ushtrisë.

Ndërkohë, policia ka arritur të ketë një pistë mbi motivet e plagosjes së biznesmenit Lulzim Kazani, po mbrëmjen e së mërkurës, në zonën e Komunës së Parist në kryeqytet.

Biznesmeni 56-vjeçar, që mori 2 plumba në një atentat pranë banesës, rezulton të ketë konflikte të vazhdueshme me 3 kunetërit e tij për ndërtimin e një pallati në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës.

Si pasojë e konfliktit që zgjat prej 3 vitesh, palët kanë paditur disa herë njera-tjetrën. Ndërkohë, policia shoqëroi 3 kunetërit për t’i pyetur lidhur me ngjarjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA