
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka theksuar se, zgjedhjet e 5 qershorit në Maqedoni duhet të shërbejnë për të forcuar stabilitetin në këtë vend, e mbi të gjitha për t’u dhënë progres të drejtave të shqiptarëve.
“Mbi të gjitha shpresojmë që fundi i kësaj krize të ndihmojë edhe për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, sikurse dhe për shumë aspekte të tjera të proceseve integruese. Kjo mendojmë se është në interesin e Maqedonisë, në interesin tonë dhe gjithashtu, besoj shumë se është edhe interesi i shqiptarëve të Maqedonisë, të drejtat e të cilëve për ne mund të kenë progres vetëm përmes hapave të mëtejshëm integrues dhe modernizues të këtij shteti”, tha kryeparlamentari Meta.
Në takimin me përfaqësuesit e Zyrës Ndërkombëtare të Investitorëve Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Meta u ndal edhe te domosdoshmëria e forcimit të bashkëpunimit ekonomik.
Kreu i Kuvendit, gjatë paradites u takua edhe me kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Sipas njoftimit për shtyp të Kuvendit, Meta ka ritheksuar se Shqipëria është në mbështetje të një klime sa më bashkëpunuese konstruktive në interes të mirëqenies së qytetarëve dhe integrimit euroatlantik të vendit.
Top Channel