Atentatet me tritol ndaj agjentit të SHISH dhe policit, ende pa autorë

15/03/2016 00:00

Shpërthimi me eksploziv në lokalin, që kishte marrë me qira agjenti i Shërbimit Informativ Shtetëror, po hetohet nga sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës.

Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se, dyshohet që ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën e Admir Shurdhit, për shkak se ai punonte edhe si përkthyes në kampin e muxhahedinëve iranianë në kryeqytet.

Në lokalin e ndodhur vetëm disa metra larg Komisariatit Nr. 4, dyshohet se është vendosur rreth 400 gramë tritol, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Jashtë hetimit, – thonë burimet policore, – nuk janë lënë as konfliktet e pronarit të lokalit, Allushi, dhe vëllezërve të tij, të cilët janë të njohur për institucionet ligjzbatuese.

Po ashtu mësohet se, Shurdhi është agjent më kohë të pjesshme në strukturën e Shërbimit Infomativ Shtetëror. Ndërkohë, mësohet se 3 ditë më parë, makinës së një efektivi i është vendosur tritol në zonën e Kamzës.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së shtunës, teksa automjeti tip Audi i punonjësit të Policisë Dilaver Shtrezi ka shpërthyer, në një kohë që ka qenë i parkuar pranë banesës së tij.

Gjatë ditëve të fundit janë regjistruar edhe dy raste të tjera të shpërthimeve me tritol, në një automjet pranë stadiumit “Qemal Stafa” dhe një garazhd pranë Policisë Bashkiake, ngjarje për të cilat ende nuk është zbuluar asnjë autor.

Top Channel