Mijëra refugjatëve të bllokuar në kampin e Idomenit në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, u ka sosur durimi dhe kanë nisur përpjekjet e para për të çarë bllokadën kufitare maqedonase.
Qindra prej tyre kaluan gjatë natës mes së dielës dhe së hënës Lumin e Thatë në vijën kufitare mes dy shteteve, ku tre prej tyre kanë gjetur vdekjen dhe disa të tjerë janë plagosur.
Rasti në fjalë duket se nuk ka zënë pa përgatitur autoritetet maqedonase, të cilat kanë ndërhyrë duke shoqëruar në spital refugjatët e plagosur si dhe duke ndaluar pjesën tjetër të tyre.
Shkupi zyrtar thotë se do të rikthejë në tokën greke të gjithë emigrantët e ndaluar.
Maqedonia ka mbyllur prej rreth një jave kufirin për refugjatët, vendim që ka sjellë një situatë të rëndë në qytetin grek të Idomenit, ku më shumë se 14 mijë persona po presin në kushte shumë të vështira, për të vazhduar rrugën drejt vendeve të Europës Perëndimore.
Përballë kësaj situate, Athina ka vendosur shpërndarjen e tyre në zona të tjera kufitare, njëra prej të cilave është edhe ajo me Shqipërinë. Mbi 100 sirianë kanë mbërritur në një kamp të ngritur në Konicë, pranë vijës kufitare me Shqipërinë dhe të tjerë janë zhvendosur në kufirin ndarës me Bullgarinë.
Javën e kaluar, autoritetet greke thanë se janë duke zhvilluar bisedime me palën bullgare dhe atë shqiptare për krizën në fjalë, ku për Shqipërinë bëhej fjalë për një shifër prej 10 mijë sirianësh. Bisedimet u konfirmuan edhe nga zv.ministrja e Brendshme, Gjebrea në Top Story të hënën e kaluar.
“Nuk kemi asnjë marrëveshje me palën greke, por jemi në bisedime për këtë çështje”, tha ajo.
Top Channel