Arrest me burg për “sekserët” e Akademisë së Sigurisë

13/03/2016 14:20

Gjykata e Tiranës, në bazë të kërkesës së Prokurorisë, ka vendosur masat e sigurise “arrest me burg” ndaj shtetasve Gëzim Metalia dhe Rexhep Rexha, të cilët u arrestuan pasi akuzohen se nëpërmjet mashtrimit i kanë kërkuar një kandidati për Shkollën e Policisë një sasi parash për të fituar konkursin e pranimit.

Nga veprimet hetimore të kryera, ku janë zbatuar edhe metodat speciale, ka rezultuar se dy të pandehurit Metalia dhe Rexha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kërkuan kandidatit për në Shkollën e Policisë 900 euro, me pretendimin se njihnin profesorin e identifikuar si Kadriu, i cili kishte pranuar ta ndihmonte në konkursin e pranimit në Akademi kundrejt kësaj shume. Të arrestuarit i kishin marrë të riut shumën prej 300 euro dhe prisnin të merrnin edhe diferencën prej 600 eurosh të tjera.

Por, përgjimi i bisedave telefonike mes të pandehurve dhe personit të mashtruar zbuluan se profesor Kadriu ishte një sajesë e tyre, me qëllim për të marrë shumën e eruove që kishin kërkuar.

Hetimet ndaj tyre do të vijojnë nga Prokuroria e Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA