Në seancën e parë gjyqësore për rastin “Celula”, 6 nga 11 të akuzuarit kanë pranuar fajin. Ata akuzohen për nxitjen e shtetasve të Maqedonisë për pjesëmarrje në luftërat në Siri dhe Irak, si dhe për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në këto konflikte të armatosura.
Mes të dyshuarve që pranuan fajin është edhe një klerik fetar nga Shkupi. Ata kanë kërkuar të merren vesh me prokurorinë për nivelin e dënimit.
Prokuroria ka afat 15 ditë që të vendosë nëse do të ulë dënimet e këtyre gjashtë personave apo do të vazhdojë gjykimin e tyre.
Pesë të dyshuarit e tjerë deklaruan se nuk ndjehen fajtorë, me avokatët mbrojtës që thanë se, aktakuza është e pabazë dhe nuk ka prova për gjykimin e tyre.
“Sipas ligjit fillimisht duhet të shqyrtohen të gjitha dokumentet dhe provat për të cilat ngarkohen të akuzuarit që të mund të bëjnë çfarëdo prononcimi për fajin. Ne këtë sot e theksuam para gjykatës dhe 5 të dyshuarit që mbrojmë ne thanë se për momentin nuk mund të thonë nëse janë fajtor apo jo”, deklaroi avokati Asmir Alispahiq.
11 të dyshuarit për rekrutim, ndihmë logjistike dhe për pjesëmarrje në konfliktet e armatosura në Irak dhe Siri u arrestuan nga policia maqedonase në muajin gusht të vitit të kaluar.
Të akuzuar për veprën penale “pjesëmarrje në luftëra të huaja”, ata mund të dënohen deri në 15 vite burg. Seanca gjyqësore për rastin e koduar “Celula” është zhvilluar nën masa të forta sigurie.
Top Channel