Rreth 20 ditë pas një takimi të përzëmërt në Athinë dhe deklarata për shtyp në të njëjtën gjatësi vale në lidhje me çështjen e refugjatëve, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka reaguar ashpër ndaj pozicionimit të fundit të presidentit të KE, që ka falenderuar me një postim në Twitter vendet ballkanase që mbyllën kufijtë duke zbatuar një vendim që sipas tij mori aprovimin e 28 shteteve anëtare të BE-së.

“Të mos u japim kurajo atyre që shpërfillin vendimet e përbashkëta të BE”, përgjigjet po në Twitter Aleksis Tsipras. “Sepse korridori ballkanik u mbyll pas vendimeve të njeanshme të vendeve të Ballkanit perëndimor dhe nëse këto vendime bëhen traditë, BE nuk ka të ardhme”, shton ai.

Ndërkohë, reagime ka pasur edhe nga partitë e tjera greke. Ndërsa ministrja e Jashtme e Austrisë ka theksuar për gazetën gjermane “Die Welt”, se korridori ballkanik do të mbetet përgjithmonë i mbyllur dhe ky mesazh do të frenojë refugjatët që të marrin rrugën nëpërmjet Egjeut, nga Turqia në Greqi e më pas drejt Europës.

Nga ana e saj, kancelarja gjermane Angela Merkel ka ritheksuar mbrëmjen e së mërkurës se mbyllja e kufijve nuk është zgjidhja për problemin në tërësi.

Ndërkohë, në Eidhomeni, ku mbi 14.000 refugjatë jetojnë në kushte dramatike në mes të baltës dhe shiut, mbi 70 fëmijë nga ky kamp janë çuar në spitalin e Kilkizit me infeksione të rrugëve të frymëmarrjes dhe gastro-enterit.

Në portin e Pireut vazhdojnë të mbërrijnë nga ishujt qindra refugjatë të tjerë, ndërsa në gjitthë vendin tashmë, sipas burimeve qeveritare, ndodhen rreth 42.000 refugjatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA