Krerët e 4 prokurorive të rretheve dhanë dorëheqjen brenda një dite, për motive që ata i kanë konsideruar si personale.
Rrokada e dorëheqjeve të befta e që s’kanë ndodhur më herët në organin e akuzës, jozyrtarisht thuhet se janë dorëzuar pas kritikave të forta gjatë analizave vjetore në këto prokurori.
Por nuk ka ende një version zyrtar se, përse drejtuesit e këtyre prokurorive nuk duan të jenë më në krye të tyre, megjithëse burimet i thanë Top Channel se 4 krerët e prokurorive të Tropojës, Lezhës, Dibrës dhe Përmetit kanë firmosur dorëheqjen për shkak të rezultateve të dobëta.
Prokurorët e dorëhequr janë kreu i Tropojës, Artan Shtrungza; ai i Lezhës Përparim Vukaj; kryetarja e Prokurorisë së Përmetit, Silava Pani; si dhe ajo e Dibrës, Esmeralda Çami.
Të 4 krerët e prokurorive janë emëruar në krye të këtyre Prokurorive gjatë 3 viteve të fundit nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Mes turit të analizave vjetore, më 22 janar në analizën e Prokurorisë së Lezhës, prokurori i Përgjithshëm u shfaq kritik dhe deklaroi se kjo prokurori spikat për numrin e lartë të dosjeve të pezulluara dhe të pushuara.
Llalla kërkoi që kjo Prokurori duhet të jetë më aktive në hetimin e falsifikimit të pronave. I kontaktuar në telefon nga Top Channel për të dhënë detaje mbi shkaqet e dorëheqjes, prokurori i Tropojes, Artan Shtrungza nuk dha asnjë motiv, por u përgjigj se arsyet gjenden në Prokurorinë e Përgjithshme.
Të tjerët nuk komentuan asgjë për këtë vendimmarrje. Ajo që dihet është se, 4 dorëheqjet vijnë në një kohë që kreu i akuzës, Adriatik Llalla ndodhet në Kosovë për një vizitë zyrtare.
Top Channel