Angli, kamerat e sigurisë mund të hedhin dritë mbi vdekjen e shqiptarit

10/03/2016 00:00

Dedektivët britanikë, që po hetojnë vdekjen e shqiptarit Vilson Meshi, 30 vjeç, përpara 10 ditësh, kërkojnë të bisedojnë me një të ri me biçikletë, i cili kërkonte të hapte derën e makinës Audi, ku u gjet i vdekur shqiptari.

Baba i 3 fëmijëve dhe pronar lavazhi, Meshi u gjet i vdekur në një makinë të dëmtuar nga zjarri, teksa mendohet se ka humbur jetën për shkak të asfiksimit, pas autopsisë.

Por, disa orë përpara se të gjendej trupi i pajetë i shqiptarit në Basildon, në periferi të Londrës, nga kamerat me qark të shkurtër të sigurisë, një i ri me kapuç dhe me biçikletë është parë duke tentuar të hapë derën e makinës, ku është gjetur trupi i shqiptarit.

Për këtë arsye, Policia britanike kërkon të bisedojë me këtë të ri, për të mësuar se çfarë ishte duke bërë në ato orë të para të mëngjesit, pranë makinës “Audi A4”.

Dy 16-vjeçarë dhe një tjetër 15-vjeçar nga kjo zonë janë arrestuar me dyshimin për vrasjen e Vilson Meshit, i njohur si i apasionuar pas “bodybuilding”.

Një 16-vjeçar është arrestuar ditë më parë për këtë vrasje ende të pazbardhur. Kryeinspektori dedektiv, Stephen Jennings thotë se, hetimet kanë çuar në gjetjen e këtij filmimi dhe “ne duam të bisedojmë me këtë të ri, se çfarë ishte duke bërë në orët e para të mëngjesit”, përpara se të gjendej trupi i Vilsonit në makinën e tij Audi, disa orë më vonë.

Top Channel