Dosja “Hakmarrja për drejtësi” do të gjykohet nga e para në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, nga një tjetër trup gjykues. Gjykata e Lartë ka rrëzuar kështu vendimin, që kishte marrë vet për këtë grup të akuzuarish, të etiketuar politikisht si banda e “Hakmarrjes për drejtësi”.
Gjykata ishte detyruar të shqyrtonte kthimin e vendimit të saj për rishqyrtim, pasi Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se, një prej gjykatësve të lartë ishte në konflikt interesi me çështjen. Ky vendim rrëzon praktikisht vendimin e mëparshëm dhe shpall jofajtorë pjesëtarët e këtij grupi, të akuzuar për një varg krimesh të rënda në vitet ’90.
Por, avokati i Orik Shytit shprehet sërish i pakënaqur.
“Ne prisnim pafajësinë. E shprehëm edhe në pretendimet tona në seancë dhe sot gjykata duhet të dilte me një vendim pafajësie për ato që u konstatuan gjatë procesit dhe që janë konstatuar edhe më parë. Ne duhet të shohim zbardhjen e vendimit, e më pas të flasim për fitore apo humbje sa i përket rishqyrtimit të kësaj çështjeje”, tha avokati Ardjan Haci.
Dy të akuzuarit kryesorë të “Hakmarrjes për drejtësi”, Orik Shyti dhe Altin Arapi ishin dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa anëtarët e tjerë kishin marrë dënime që varionin nga 5 deri në 25 vite burgim. Ata akuzohen për dhjetëra vrasje dhe krime gjatë viteve 1992-1996, mes të cilave bomba në ish-supermarketin e VEFA-s dhe vrasjen e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi.
Top Channel