Rishpërndarja e refugjatëve, diplomatët grekë bisedime me Shqipërinë e Bullgarinë

08/03/2016 12:20

Qeveria greke ka njoftuar se ditën e mërkurë do të fillojë vendosjen e emigrantëve të parë në zonën e Epirit, vetëm pak kilometra nga kufiri me Shqipërinë. Sipas burimeve të Top Channel, vendosja e 2000 emigrantëve të parë do të kryhet në bazë të një plani të organizuar që prej disa ditësh prej Ministrisë së Emigracionit në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, për shpërndarjen e mëse 70.000 emigrantëve që pritet të bllokohen në Greqi gjatë muajve të ardhshëm.

Autoritetet helene thonë se po punohet intensivisht për hapjen e katër qendrave “hot spot”, të cilat do të vendosen në Filipiadha, në fushën e Kestrinës në Igumenicë, dhe në dy reparte ushtarake në Janinë. Edhe në zonën e Kosturit, të Follorinës dhe Ptolemaidhës, tashmë ka filluar puna për krijimin e ambienteve me kapacitet rreth 5000 vetë. Një burim nga organizata “Mjekët pa kufij” tha për Top Channel se kjo organizatë është njoftuar për hapjen e tre pikave të ndihmës së parë për emigrantët në kufirin me Shqipërinë: një në pikën e Qafë-Botës, në Kakavijë dhe Kapshticë.

Burime në Ministrinë e Jashtme greke thonë se edhe në nivel politik vazhdojnë negociatat me qeveritë e vendeve fqinje për vendosjen në Shqipëri dhe Bullgari të një numri të caktuar emigrantësh prej 10 deri ne 15 mijë për çdo vend. Burimet sqarojnë se pala shqiptare ende nuk ka kthyer një përgjigje negative, por ndodhet në pritje të një vendimi kolegjial në kuadër të Bashkimit Europian, çka do të vendoset gjatë orëve në vazhdim.

Mësohet se me gjithë kundërshtinë e Bullgarisë për procedurat e shpërndarjes së emigrantëve, kryeministri bullgar ka rënë dakord në parim për të ndihmuar Greqinë në përballjen e krizës humanitare që po afron.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA