Zagoria e braktisur. “Shqipëria Tjetër” në gjurmët e historisë

07/03/2016 00:00

Kur vite më parë në rrugën e Çajupit ballë Gjirokastrës u nis të punohej, banorët e Zagorisë menduan se problemi i tyre më i madh do të merrte zgjidhje.

Në atë kohë u përfol se në atë pjesë do të bëheshin edhe investime të mëdha nga njerëz të pushtetshëm, por nuk ndodhi kështu. Rruga përfundoi sipërmi kilometra larg fshatrave të Zagorisë, ndërsa investimet nuk erdhën kurrë.

Zagoria është një krahinë jo thjesht me bukuri natyrore, por edhe me një histori të spikatur. E gjitha për t’u zbuluar. Pavarësisht gjithçkaje kjo zonë ka mbetur e harruar dhe pa asnjë mbështetje atje tejmi mes maleve.

Suha, Selcka, Policani e deri në Shepër, vetëm 27 kilometra nga rruga e shtruar që përshkohen për gati një orë e gjysmë.

E ndjejmë shumë. Ja ku i kemi fëmijët. Unë kam 5 fëmijë, një më është aksidentuar. Kam katër. Kur vijnë këtu, mami si të vijmë thonë, në këtë udhë”, shprehet Ervjeni Jakupi, banore e zonës.

Sheperi, fshati i Andon Zako Çajupit, firmëtarit të Pavarësisë Aristidh Ruci, patriotit Ilia Dilo Sheperi, akademikut Jorgo Bulo,  Kiço Ngjelës, por edhe shumë figurave të tjera, sot ka mbetur me 30 familje nga mëse 10 herë më pak sesa kishte në fillim të shekullit të shkuar.

“Problemi më i madh këtu është rruga. Në qoftë se do të ketë infrastrukturë të rregullt, atëherë edhe fshatarët që banojnë dhe jetojnë këtu do të kenë shumë më të lehtë vajtjen në qytet dhe njëkohësisht marrjen e materialeve nga poshtë për nevojat e tyre shtëpiake”, thotë Pirro Mandi.

Shkolla 9-vjeçare sot ka vetëm 7 nxënës, privilegji i vetëm i të cilëve është se shkollohen në shtëpinë e dikurshme të Andon Zako Çajupit. Restaurimi i fundit i vërtetë i saj është bërë, sipas tyre, mëse 60 vite më parë.

“Kur kam ardhur unë në ‘66 këtu, fshatin e kam gjetur me 65 shtëpi, sot faktikisht janë 20. Nga këto 20, tre familje janë me fëmijë, të tjerët janë pleq e plaka”, shprehet Alqi Jakupi.

Këtu jetohet vetëm me blegtori, sepse me bujqësi ka mëse 25 vite që nuk merret askush, e kjo si zgjidhje e imponuar.

“Kemi pasur një rezervuar deri para ’90-ës, i cili me ndërrimin e sistemin si kudo u shkatërruan edhe ato edhe kanalet janë ashtu. Askush s’ka vënë dorë për asnjë segment. Tokat tani janë pa ujë. Kanë qenë rreth 200 hektarë në atë kohë nën ujë, tani është zero”, shprehet Andon Bici, një tjetër banor.

Dy kilometra e gjysmë më tej ngrihet Nivani. Fshati ka patur një shkollë të mesme bujqësore me konvikt, ku mësonin rreth 200 nxënës që vinin nga e gjithë Zagoria, por edhe Pogoni. Ka patur qendër shëndetësore, me maternitet, depo të rezervave të shtetit, e deri lokale ku banorët mblidheshin çdo natë.

Kishte shumë popullsi të madhe dhe kishte shumë gjëra të mira. Sot, nga shtëpia në bagëti, nga bagëtia në shtëpi dhe kaq s’ka asgjë tjetër. Ka rënë shumë qetësi e madhe, shumë, si mund të themi”, thotë Tefta Caca.

Edhe këtu kanë mbetur jo më shumë se 50 banorë. Thuajse të gjithë fshatrat e Zagorisë kanë këtë numër popullsie.

“Vijnë turistë me motor, vijnë turistë me kalë, vijnë turistë me makinë…nga të gjitha anët vijnë, në verë në vjeshtë. Ama, në dimër nuk mundet, është rruga shumë e keqe”, shprehet Shpresa Pali.

“Fshati, mos e pyet s’merr vesh i pari të dytin. Tani nuk merr vesh i pari të dytin, ja po ta them unë. Bam lisit, bam andej, bagëtia vjen ku të dojë. Ka çdo gjë duhet të ketë rregull. Po s’dëgjon njeri”, thotë Nonda Semi.

Emigracioni Zagoritët e kanë njohur herët, por gjithmonë i ka thirrur pas ky vend, ku janë kthyer e kanë investuar, çka po e kanë të pamundur sot.

“Duam dy orë e gjysmë të vemi në Gjirokastër, të kthehemi nga Gjirokastra. Në qoftë se tre orë, tre orë e gjysmë do të vesh në Tiranë. Këtu do, sa do për Tiranë do dhe për Gjirokastër të vesh. Ju kur erdhet e patë vetë, është për të dëshiruar”, thotë Robert Telo.

Stacioni i fundit është Nderani…

“Sot janë nja 30 – 40 veta, nga 200 banorë që kanë qenë. 40 veta ka. Vetëm pleq e plaka, nga dy e nga dy”, thotë Thoma Kuro.

“Cdo katër vjet një autobus të tillë kam prishur. Të moshuarit vdesin, të rinjtë, ata që janë më të rinjtë janë larguar se nuk mund të rrojnë dot me blegtori, blegtorinë nuk e bëjnë dot. E bëjnë vetëm mosha ime e lartë, që janë marrë me të dhe e kanë patur punë të tyren”, shprehet Jorgji Kuro.

Edhe këtu gjërat janë më shumë se të vështira…

“Shumë të vështirë e kemi. Edhe prodhimet që kemi s’kemi mundësi që t’i tregtojmë. Sot është në mjerim. Për mua është në mjerim ky fshat”, thotë Spiro Kuro.

Koncke, Doshnicë, Hoshtevë, Topove, Lliar , Zhej e Vithkuq …. kudo në Zagori është e njëjta tablo. Në disa prej tyre edhe makina e lartë e ka të vështirë të shkojë. Një zonë që ka nxjerrë në shekuj figura të shquara, por që shkëmbim nuk ka marrë dot as edhe një rrugë.

Top Channel