Vau i Dejës, qendra shëndetësore në kushte të rënda

04/03/2016 00:00

Qendra Shëndetësore e Vaut të Dejës në Shkodër funksionon në kushte shumë të rënda. Qendra ishte ndërtuar në vitin 1999 për t’ju ardhur në ndihmë shumë kosovarëve të cilët kishin ikur nga lufta.

Mirëpo sot, pas rreth 17 vitesh, ka filluar të degradohet. “Fiks Fare” e ka vizituar këtë qendër dhe ka raportuar për ujin që futet nga çatia dhe nga anët e saj. Kjo qendër shëndetësore llogaritet t’ju shërbejë rreth 6500 banorëve të kësaj zone.

Nënkryetari i Bashkisë Vau Dejës, Admir Hasmegaj, tha se kanë marrë shumë ankesa për gjendjen në këtë qendër dhe se janë në dijeni të kushteve të rënda që janë aktualisht aty.

Ai ka thënë se është bërë një kërkesë që Vau i Dejës të ketë një poliklinikë të re, kjo edhe për shkak të numri të banorëve që është gjithnjë në rritje.

“Ne jemi në dijeni të gjendjes së qendrës shëndetësore pas shumë ankesave që kemi marrë nga banorët e qytetit dhe zonës së Vaut të Dejës, pasi aty ofrohet një shërbim minimal pavarësisht përpjekjeve të punonjësve në atë qendër. Kemi kërkuar nga institucionet përkatëse ngritjen e një poliklinike të re për qytetin e Vaut të Dejës pasi siç e dimë kemi një popullsi prej 6500 banorësh e cila vjen gjithnjë në rritje”, shpreh Hasmegaj.

Megjithatë, Hasmegaj nuk mund të thotë se kur qytetarët e bashkisë së tij mund ta gëzojnë poliklinikën e re, pasi për “Fiks Fare” u shpreh se deri më tani ka pasur vetëm fjalë dhe asgjë konkrete.

“Momentalisht nuk kemi pasur diçka konkrete ne lidhje me ndërtimin e poliklinikës. Na kanë mbajtur me shpresa, por asgjë nuk është bërë deri më tani”, tha ai.

Top Channel