“Flash”, sekuestrohen 10 kg kanabis; pranga policit të burgjeve

04/03/2016 17:35

Agjentë të policisë së Tiranës kanë ekzekutuar këtë të premte operacionin e koduar “Flash”, që është finalizuar me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e 10 kg lëndë narkotike e llojit kanabis.

Sipas një njoftimi për shtyp, kanë qenë agjentët e seksionit të antidrogës që, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, kanë hetuar dhe dokumentuar aktivitetin ilegal të shtetasve Elton Lala dhe Shkëlzen Duka, 29 dhe 28 vjeç dhe të dy banues në kryeqytet.

Në njoftimin zyrtar saktësohet se njëri prej të arrestuarve, shtetasi Elton Lala, është funksionar i Policisë së Shtetit, pranë seksionit të policisë së burgjeve.

Agjentët përmes hetimeve kanë zbuluar se shtetasit në fjalë e ushtronin aktivitetin e tyre në Farkë, pranë një qendre tregtare, ku dhe janë arrestuar, thuhet më tej në njoftim.

Nga kontrollet e kryera në automjetin e tyre agjentët kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 10 kg kanabis; një pistoletë e tipit “TT”; dy krehër me 14 fishekë dhe 4 telefonë celularë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA