Tregjet e bashkisë bosh, tregtarët shesin në trotuare

29/02/2016 00:00

Në debatin e ngritur nga bizneset e vogla për shfrytëzimin e hapësirave publike janë të përfshirë edhe tregtarët e fruta-perimeve.

Një nga problemet që Bashkia e Tiranës po përpiqet të trajtojë prej thuajse një viti është shitja nëpër trotuare, një problem që nuk ka gjetur ende një zgjidhje përfundimtare.

Nga një vëzhgim i bërë në tregjet publike, vihet re se 14 hapësirat e posaçme që Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion nuk shfrytëzohen të gjitha.

Një pjesë e mirë e tyre janë thuajse bosh.  Shumë zgjedhin të shesin në trotuare për të shmangur pagesën e tarifës, ku veç zënies së hapësirës publike, cenojnë edhe cilësinë e produkteve.

Për të zgjidhur këtë problem, bashkia e kryeqytetit ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për ata shitës që i shmangen formalizimit të këtij sektori.

“Aktualisht në tregjet ekzistuese, që janë tregje publike, është duke u bërë një plan rehabilitimi për këta. Bashkia e Tiranës është duke bërë një studim vizibiliteti për hapësira të reja dhe për tregjet aktuale që të jenë sa më funksionalë dhe sa më pranë qytetarit. Kemi ndeshur një fenomen ku tregtarë ambulantë kanë refuzuar të formalizohen nëpër këto tregje të ndërtuara nga Bashkia e Tiranës. Do të ndërtohen tregje të reja edhe në zonat rurale”, thotë Gilber Velcani, këshilltar për tregjet dhe konsumatorët.

Zënia e hapësirave publike nga shitësit ka qenë një problem i hershëm, veçanërisht në Tiranë,  ku sistemimi i tregjeve dhe lirimi i trotuareve ka qenë një premtim i vazhdueshëm elektoral.

Top Channel