Të lindurit e vitit “të brishtë”

29/02/2016 00:00

Përtej legjendave urbane, viti “i brishtë” në Shqipëri nuk ka ndonjë traditë të veçantë, apo gjëra që duhen apo nuk duhen bërë më 29 shkurt.

Sipas shifrave zyrtare, në vendin tonë jetojnë 2.650 persona, të cilët janë lindur në këtë datë. Shifër së cilës, deri në mesditë, i janë shtuar edhe 6 fëmijë të lindur në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Sipas kryemamisë Dhurata Boka, e cila ka 26 vite në këtë profesion, ka pasur raste kur prindërit kanë dashur ta shmangin 29 shkurtin.

“Prindërit ndoshta nuk kanë dëshirë, sepse një herë në 4 vite festohet ditëlindja e fëmijës, por këtë gjë e zgjedh vet bebi”, thotë Dhurata Boka, kryemami e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

Por për Klean, e cila solli në jetë fëmijën e saj të parë më 29 shkurt, kjo datë është shumë e rëndësishme, madje edhe e parashikuar.

“Kendis lindi në 1 të mëngjesit. Në fakt, bashkëshorti im kishte bërë që në fillim të shtatzënisë një parashikim: do të lindë më 29, meqenëse është edhe datë e veçantë. Ja që kështu ndodhi. Sa i përket festimit të ditëlindjes, nuk do ta lëmë për një herë në 4 vite, por do t’ia festojmë më 1 mars”, thotë nëna e fëmijës së sapolindur.

29 shkurti është zgjedhur edhe nga disa çifte, për të zyrtarizuar dashurinë e tyre. Një prej tyre ishin Arensi me Erjonën.

“Muaji shkurt nisi mbarë për ne, me lindjen e djalit tonë, ndaj dhe menduam ta mbyllim po ashtu, në datën 29 me celebrimin e martesës”, thotë Erjona.

E mes batutave, Arensi tregon edhe një tjetër arsye se, përse zgjodhën këtë datë.

“Doja që ta mbaja mend përgjithmonë datën 29, shto këtu edhe kursimin e dhuratave”, thotë Arensi.

Top Channel