Rankimi i universiteteve, kompania britanike shpjegon procedurën

29/02/2016 16:35

Në pranverë nis klasifikimi i universiteteve në Shqipëri, në kuadër të reformës që ka nisur qeveria për arsimin e lartë.

Kompania e kontraktuar nga qeveria është “Agjencia Britanike për Sigurinë e Cilësisë së Arsimit të Lartë”. Douglas Blackstock, drejtues ekzekutiv i kompanisë thotë se, procesi do të nisë me 6 universitete, ku përfshihen institucione të arsimit të lartë publik dhe privat.

“Procesi nis tani në pranverë. Qëllimi ynë është që, nëpërmjet ekspertëve tanë, të trajnojmë vëzhguesit që do të punojnë në Shqipëri. Ekspertët e agjencisë sonë do të prezantojnë si fillim metodologjinë, me të cilën ne veprojmë. Do të shihet mirë terreni, me të cilin do të punojmë, e më pas vjen trajnimi i vëzhguesve, që do të analizojnë institucionet e para të arsimit, që do t’i nënshtrohen procesit. Kjo fazë do të na thotë shumë, për të kuptuar sistemin arsimor në Shqipëri, që më pas t’u themi kolegëve shqiptarë atë çfarë duhet të përmirësojnë”, tha Douglas Blackstock.

Problemet në arsimin e lartë në Shqipëri, sipas kreut ekzekutiv të agjencisë britanike do të trajtohen me metodat më bashkëkohore, të implementuara edhe në vende të zhvilluara të Europës.

“Nuk mund të them, që do të jetë njësoj si të klasifikojmë universitete në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë ka disa elementë të njëjtë. Procesi ka si qëllim, që vet sistemi arsimor të tregojë atë çfarë duhet përmirësuar. Bazuar në eksperiencën tonë mund të them se, keni shumë ngjashmëri me problemet që kanë disa vende të Europës”, tha më tej Douglas Blackstock.

Mungesa e rankimit të universiteteve në Shqipëri ka krijuar një kaos sa i takon cilësisë së universiteteve, veçanërisht kjo në sistemin privat, i cili 10 vitet e fundit njohu një lulëzim që çoi thuajse në daljen jashtë kontrollit të krejt sistemtit arsimor universitar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA